Felix Nkambeh Tih
11 maj 2020•Përditësim: 12 maj 2020
Tre paqeruajtës të Çadit nga Misioni i OKB-së u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në një sulm ndaj një autokolone të OKB-së në veri të Malit, bëri të ditur misioni paqeruajtës atje të dielën vonë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, Misioni i Stabilizimit të Integruar i Kombeve të Bashkuara për Malin (MINUSMA) tha se incidenti ndodhi afër Aguelhok-ut në rajonin Kidal.
Kidal është bastioni i dikurshëm i rebelëve separatistë në Mali. Por, disa grupe militante janë aktive në veri përskaj një marrëveshjeje paqeje në vitin 2015 midis qeverisë dhe grupit rebel tuareg.
Mahamat Saleh Annadif, kreu i misionit, dënoi sulmin kundër civilëve dhe operacioneve të OKB-së në vendin e Afrikës Perëndimore.
"Ne do të duhet të kombinojmë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe kapur ata që janë përgjegjës për këto akte terroriste", tha Annadif.
''Sekretari i Përgjithshëm shprehu ngushëllimet e tij të thella për familjet e viktimave si dhe qeverinë dhe popullin e Çadit. Ai iu uroi shërim të shpejtë të plagosurve'', tha Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm.
''Sekretari i Përgjithshëm riafirmon se veprimet e tilla frikacake nuk do të pengojnë OKB-në nga vendosmëria e saj për të vazhduar mbështetjen e popullit dhe qeverisë së Malit në kërkimin e tyre për paqe dhe stabilitet", shtoi ai.
Asnjë grup ende nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por sulmet e ngjashme zakonisht pretendohen nga milicitë e lidhura me Al-Kaedën.
Mali, një nga vendet më të varfra në botë, vuan nga prania e disa grupeve terroriste ndërsa dhe paqeruajtësit francezë, malianë dhe të OKB-së në këtë vend kryejnë operacione kundër terrorizmit.