Gülşen Topçu
05 qershor 2021•Përditësim: 06 qershor 2021
Qeveria e Marokut tha se mbështet çdo lloj dialogu mes qarqeve politike libiane për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Marokut thuhet se ministri i Jashtëm, Nasser Bourita u takua me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve të Libisë, Aguila Saleh dhe kreun e Këshillit të Lartë të Shtetit të Libisë, Khalid al-Mishri të cilët ndodhen në kryeqytetin Rabat për vizita zyrtare në vend.
Takimet që Maroku ka organizuar për çështjen e Libisë janë pjesë e punimeve të zhvilluara në kuadër të udhëzimit të Mbretit Muahmmed VI për të siguruar kontribut në zgjidhjen e krizës në Libi.
Gjithashtu në deklaratë vihet në dukje se Maroku mbështet çdo lloj dialogu dhe mundësi komunikimi mes palëve politike libiane për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në vend.
Saleh dhe Mishri mbërritën në Marok më 3 qershor për të arritur dakordim mbi bazën kushtetuese dhe për përcaktimin e personave që do të emërohen në institucionet e larta brenda shtetit. Maroku edhe më parë ka qenë vendi organizator i takimeve për dialog të zhvilluar mes palëve libiane.