Ebru Şengül,Hüseyin Erdoğan
11 Korrik 2017•Përditësim: 12 Korrik 2017
ANKARA (AA) - Marrëveshja për ndryshimet klimatike e arritur në Paris është një çështje që duhet të prek të gjitha kompanitë e naftës dhe gazit, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të rishikojnë qëndrimin e tyre ndaj marrëveshjes, tha të martën drejtori ekzekutiv i kompanisë franceze të naftës, Total, Patrick Pouyanne, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për gazetarët në margjinat e kongresit të 22-të Botëror të Naftës, Pouyanne tha se Marrëveshja e Parisit është vendimtare për qëndrueshmërinë e planetit dhe si e tillë duhet të prekë të gjithë, përfshirë kompanitë e naftës dhe gazit.
Nënshkruar nga 195 vende në prill të vitit 2016, Marrëveshja e Parisit synon të zbusë efektet e ndryshimeve klimatike duke reduktuar emetimet e karbonit dhe duke kufizuar rritjen globale të temperaturës për 2 gradë Celsius më pak.
"Nga fundi i vitit të kaluar, ajo është miratuar dhe nënshkruar nga shumë vende. Është e rëndësishme që të gjitha ato vende të mbeten brenda asaj kornize", tha Pouyanne, me shpresë që SHBA-të të rishikojnë qëndrimin.
Muajin e kaluar SHBA-të u tërhoqën nga marrëveshja historike e cila synon të luftojë ndryshimet klimatike, duke u ndarë nga pjesa dërmuese e shteteve botërore.
"E kemi Evropën, kemi Kinën, kemi Indinë, shtete që jenë vërtetë të përkushtuara. Këto tre rajone përfaqësojnë më shumë se 50 për qind të emetimeve", deklaroi Pouyanne.