Tayfun Salcı
24 Shkurt 2019•Përditësim: 25 Shkurt 2019
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May tha se është shtyrë më 12 mars votimi i versionit të rishikuar të Marrëveshjes për Brexitin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për media para nisjes për në samitin arabo-evropian i cili zhvillohet në Egjipt, May tha se bisedimet për Brexitin mes Britanisë dhe BE-së do të vazhdojnë edhe këtë javë.
"Ekipi im edhe këtë javë do të jetë në Bruksel. Prandaj, ne nuk do të paraqesim marrëveshjen në parlament këtë javë, por do të sigurojmë që ajo të arrijë në 12 mars", tha May.
Lidhur me thirrjet për shtyrjen e datës Brexit, May tha se "Njerëzit flasin për shtyrjen e Brexitit sikur do ta zgjidhë këtë problem. Por, sigurisht nuk do ta zgjidhë, ajo vetëm shtyn momentin e vendimit. Do të vijë një moment që do të duhet të japim një vendim. Ende është e mundur që më 29 mars të ndahemi me një marrëveshje nga BE-ja".
Ministrja e Punës, Amber Rudd, ministri i Drejtësisë David Gauke dhe Sekretari i Ekonomisë Greg Clark në një artikull të përbashkët në gazetën Daily Mail, njoftuan se do të duhet të shtyhet data Brexit në rast se brenda disa ditësh nuk arrihet ndonjë marrëveshje me BE-në.
Kriza në qeverinë britanike, në lidhje me Brexitin kanë shkaktuar dorëheqjen e më shumë se 10 ministrave, përfshirë dy ministra për Brexitin, një ministër të Jashtëm dhe një ministër të Punës.
Britania duhet të largohet zyrtarisht nga BE-ja më 29 mars, sipas kalendarit të rregullt, të përcaktuar në nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, i cili rregullon "procesin e ndarjes së anëtarëve nga Unioni".