Bedrudin Brljavac
30 Tetor 2022•Përditësim: 02 Nëntor 2022
Në qytetin Banyuwangi të Indonezisë u mbajt festivali i njohur "Gandrung Sewu" në të cilin morën pjesë qindra persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Vëmendjen e veçantë të të pranishmëve tërhoqën valltaret e veshura me kostume tradicionale të cilat performuan vallen e njohur si Gandrung. Kërcimi i realizuar nga saktësisht 1.188 valltare femra të moshave të ndryshme është kthyer në një lloj atraksioni turistik në Indonezi.
Vallja Gandrung interpretohet si shenjë mirënjohjeje për një korrje të mirë. Qyteti Banyuwangi, ku u mbajt festivali, ndodhet në provincën e Java-s Lindore.
Gandrung është një vallëzim tradicional në Indonezi. Gandrung ka shumë variacione dhe është i popullarizuar veçanërisht në Bali, Lombok dhe Java-n Lindore midis Balinezëve, Sasakëve dhe Javanezëve.
Variacioni më i popullarizuar është gandrung nga rajoni Banyuwangi i gadishullit lindor Java, në masën që qyteti shpesh quhet Kota Gandrung ose "qyteti gandrung".
Fillimisht ishte valle rituale kushtuar perëndeshës së orizit dhe pjellorisë ndërsa aktualisht interpretohet si një vallëzim shoqëror i miqësisë dhe dashurisë në aktivitete shoqërore ose si një atraksion turistik.
Festivali "Gandrung Sewu" mbahet çdo vit në Banyuwangi.