Ekip
27 Tetor 2023•Përditësim: 02 Nëntor 2023
Të paktën 27 persona kanë vdekur dhe katër rezultojnë të zhdukur pasi uragani Otis goditi shtetin bregdetar Guerrero, në Meksikën lindore, njoftoi qeveria të enjten, raporton Anadolu.
Të mbijetuarit ndihen të dëshpëruar për shkak të reagimit të ngadaltë të qeverisë dhe janë të shqetësuar se fokusi do të mbetet në riparimin e infrastrukturës në vend që të ndihmohen ata që kanë më shumë nevojë.
Sekretarja e Sigurisë dhe Mbrojtjes Civile, Rosa Icela Rodriguez, tha më herët se meteorologët ndërkombëtarë nuk kishin parashikuar se si do të zhvillohej stuhia dhe ajo që ndodhi të martën ishte "jotipike" dhe një "skenar i pabesueshëm".
Në 24 orë, Otis u rrit nga një stuhi tropikale në një stuhi të kategorisë së pestë.
Era dëmtoi rëndë infrastrukturën, duke lënë pjesë të popullsisë pa komunikim dhe shërbime.
Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, bëri një udhëtim urgjent të mërkurën në mbrëmje nga kryeqyteti në Acapulco, destinacion i famshëm turistik që u godit rëndë nga uragani.
Lopez Obrador tha se 80 për qind e hoteleve të Acapulcos ishin prekur.
Uragani shkaktoi mbyllje të rrugëve, duke përfshirë autostradën midis Mexico City dhe Acapulco, më e ngarkuara në vend. Më shumë se gjysmë milioni njerëz mbetën pa energji elektrike.
Më shumë se 10.000 ushtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar viktimat.