Ayhan Şimşek
29 Janar 2016•Përditësim: 29 Janar 2016
BERLIN (AA) - Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe partnerët e saj të koalicionit mbrëmë arritën marrëveshje për ndryshimet në ligjin për azil-kërkuesit, me qëllim zvogëlimin e numrit të refugjatëve që vijnë në Gjermani, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendës/kancelari dhe udhëheqës i Partisë Social Demokratike (SPD), Sigmar Gabriel tha se udhëheqësit e koalicionit qeverisës në Gjermani ranë dakord për një pako masash dhe ndryshimesh të ligjit që do të gjenden para qeverisë në ditët e ardhshme.
"Për ata që kanë mbrojtje subsidiare, bashkimi familjar do të pezullohet për dy vite", ka thënë Gabriel.
Mbrojtja subsidiare (mbrojtja e dorës së dytë) është e garantuar për refugjatët që nuk kualifikohen për azil në bazë të Konventës së Gjenevës, sepse ata nuk mund të dëshmojnë se kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të llojeve të ndryshme të persekutimit. Këta refugjatë do të marrin leje qëndrimi të përkohshme për një vit, e cilat mund të vazhdohet.
Gjermania ka pranuar 1.1 milionë refugjatë në vitin 2015, shumica e të cilëve kanë ardhur nga Siria dhe Iraku. Rreth 20 përqind e sirianëve gëzojnë pikërisht mbrojtjen subsidiare.