Ömer Aydın
18 Janar 2017•Përditësim: 18 Janar 2017
STRASBURG (AA) - Kryeministri i Maltës Joseph Muscat, që kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian (BE) tha se marrëveshja e arritur mes Turqisë dhe BE-së është e suksesshme. Ai tha se një marrëveshje e ngjashme duhet të arrihet edhe me vendet e Afrikës Veriore në të kundërtën në muajt e verës një fluks i ri i refugjatëve do të jetë i pashmangshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim me rastin e radhës së presidencës së BE-së në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian e cila vazhdon në Strasburg, Muscat ka informuar anëtarët e PE-së për çështjet parësore të bashkimit për migracionin, refugjatët, luftën kundër terrorizmit, tregun e përbashkët dhe negociatat për largimin e Britanisë nga BE-ja.
Pasi ka theksuar se çështjet për migracionin dhe refugjatët zënë vend të rëndësishëm në axhendën e BE-së dhe se Unioni duhet të marrë masa emergjente, Muscat ka paralajmëruar se "Evropa mund të përballet me një krizë të re të refugjatëve" nëse edhe për Mesdheun Qendror nuk arrihet një marrëveshje e ngjashme me atë të arritur më 18 mars me Turqinë.
Duke iu përgjigjur kritikave të drejtuara qeverisë së Libisë në lidhje me përgatitjet për ndalimin e fluksit të migrantëve në Mesdhe dhe të refugjatëve drejt Evropës, Muscat tha se "Nëse nuk arrijmë në marrëveshje me këto vende, në një të ardhme të afërt do të përballemi me më shumë probleme".
"Marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së mund të mos jetë një marrëveshje e shkëlqyer apo afatgjate, por ka shërbyer në tejkalimin e krizës", ka thënë kryeministri i Maltës, Muscat duke vënë theksin se kriza e vitit 2015 e gjeti të papërgatitur BE-në.
Ndër të tjera Muscat potencoi se Evropa nuk duhet të përsërisë të njëjtin gabim. "Pavarësisht se kanë arsye të ndryshme nga refugjatët sirianë që vijnë nëpërmjet Detit Egje, në muajt e pranverës Evropa mund të përballet sërish me një valë të rëndë të migrantëve që vijnë nëpërmjet Mesdheut Qendror", tha Muscat.