Ekip
22 Maj 2016•Përditësim: 23 Maj 2016
XHAKARTË (AA) – Numri i viktimave nga shpërthimi i vullkanit në perëndim të Indonezisë është rritur në gjashtë persona, pasi ekipet e shpëtimit kanë gjetur edhe trupat e tre të vdekurve, njoftuan autoritetet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sutopo Purwo Nugroho, zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare për Menaxhim me Katastrofat deklaroi se në malin Sinabung në Sumatra-n Veriore të shtunën vullkani nxori në ajër re hiri në lartësi prej tre kilometrave.
Të gjithë viktimat punonin në fermat e tyre në fshatin Gamber, rreth katër kilometra larg zonës së rrezikut. Në fotografitë dhe videot nga vendi i shpërthimit shihen kafshë të ngordhura shtëpiake të mbuluara me hirin vullkanik.
Ushtarët kanë vendosur barrikada dhe njerëzit kanë zhvendosur sendet dhe kafshët e tyre në vende të sigurta. Nugroho deklaroi se ushtarët, policët, pjesëtarët e shërbimeve për situate të jashtëzakonshme ende kërkojnë për të mbijetuar të mundshëm.