Adam Abu-bashal
10 Maj 2022•Përditësim: 10 Maj 2022
Janë arrestuar më shumë se 51 mijë anëtarë të organizatës terroriste Boko Haram dhe ISWAP që janë dorëzuar deri më tani në verilindje të Nigerisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjeneralmajori Christopher Musa, komandanti i “Operacionit Hadin Kai” kundër terroristëve, në programin televiziv në të cilin ka marrë pjesë ka deklaruar se në operacionet kundër terroristëve janë arritur suksese serioze së fundmi.
Ai tha se pas vdekjes së kreut të Boko Haram-it, Ebubekir Shekau, u hapën shumë mundësi. Musa tha deklaroi se banorët e rajonit ndihmuan ushtarët në operacionet kundër terroristëve.
"Deri më sot, më shumë se 51 mijë anëtarë të Boko Haram-ISWAP dhe familjet e tyre janë dorëzuar tek ne. Ne i kemi arrestuar të gjithë", tha Musa.
Pavarësisht operacioneve të organizuara vitet e fundit, organizata ende paraqet një problem serioz sigurie në Nigeri, vendin më të populluar të Afrikës.
Djali i Mohammed Jusuf-it, themeluesit të organizatës terroriste Boko Haram në Nigeri, Abu Musab al-Barnawi u bë zëdhënës i Boko Haram-it pas vdekjes së babait të tij në vitin 2009.
Kriza e lidershipit që filloi brenda Boko Haram-it në vitin 2016 bëri që organizata të ndahej midis Barnawi dhe Abu Bakr Shekau.
Ndërsa Shekau drejtonte Boko Haram-in, Barnawi vazhdoi aktivitetet e tij duke themeluar ISWAP.
Më shumë se 20 mijë njerëz humbën jetën në aktet e dhunës masive që nga viti 2009 të kryera nga organizata terroriste Boko Haram, e cila ekziston në vend që nga fillimi i viteve 2000.