Gamze Türkoğlu Oğuz
27 Nëntor 2018•Përditësim: 27 Nëntor 2018
GJENEVË (AA) - Fondi Qendror për Emergjenca i Kombeve të Bashkuara (CERF) solli vendim që Venezuelës t'i jepet një ndihmë me vlerë prej 9,2 milionë dollarë, përfshirë ushqime dhe ilaçe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e CERF-it thuhet se është miratuar ndihma me vlerë prej 9,2 milionë dollarë Venezuelës ku kushtet humanitare janë përkeqësuar.
Nga kjo ndihmë 2,6 milionë dollarë janë ndarë për ushqimin e fëmijëve të vegjël, grave shtatzëna dhe nënat gjidhënëse.
Theksohet se kjo ndihmë e CERF-it është fondi i parë emergjent që do t'i sigurohet qeverisë së Nicolas Maduro-s në Venezuelë.
Presidenti i Venezuelës, Maduro, lidhur me sanksionet ndaj vendit të tij akuzon SHBA-të dhe "luftën ekonomike" të opozitarëve politikë.
Ndërsa kritikët e qeverisë së Caracas-it, ndihmën e CERF-it e konsiderojnë se zyrtarët e Venezuelës kanë pranuar se vendi përballet me një krizë humanitare.
Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka njoftuar se programin e saj aktual në Venezuelë e ka zgjeruar që nga muaji gusht, ndërsa janë siguruar 130 ton ilaçe dhe ushqime për 350 mijë gra dhe fëmijë.
Zyrtarët e Venezuelës ende nuk kanë dhënë deklarata në lidhje me këtë çështje.