Ekip
29 Maj 2016•Përditësim: 29 Maj 2016
POZZALLO (AA) - Zyrtarët përkatës të Kombeve të Bashkuara, deklaruan se ekziston frika se mbi 700 emigrantë e kanë humbur jetë në tre përmbytjet e anijeve në Detin Mesdhe gjatë ditëve të fundit në përpjekjet e emigrantëve që me anije joadekuate të mbërrijnë në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e UNHCR-së Carlotta Sami për Associated Press ka thënë se supozohet se rreth 100 emigrantë janë zhdukur, pas përmbytjes së anijes së emigrantëve të mërkurën. Marina italiane kishte filmuar ngjarjen e tmerrshme, dhe pastaj nxitoi për të ndihmuar emigrantët që kishin kërcyer nga anija para fundosjes së saj.
Sami shtoi se të enjten në mëngjes ka ndodhur një aksident i tmerrshëm kur u përmbyt një anije tjetër me emigrantë nga e cila u zhdukën rreth 550 emigrantë dhe refugjatë. Anija një ditë më parë lundroi nga porti i Libisë Sabratha.
Dëshmitarët okularë pohojnë se anija e fundosur e cila mbante rreth 670 persona nuk kishte motor, por derisa u përmbyt ajo tërhiqej nga një anije tjetër. Pas përmbytjes 25 persona arritën të notojnë deri tek varka e parë, kurse ekipet e shpëtimit arritën të shpëtojnë edhe 79 persona. Deri më tani nga deti janë nxjerrë 15 trupa të pajetë.