Mustafa Çağlayan
18 Dhjetor 2015•Përditësim: 18 Dhjetor 2015
NEW YORK (AA) - Këshili i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën e cila kërkon shtrëngimin e masave që kanë të bëjnë me financimin e organizatës terroriste DAESH, raporton Anadolu Agency (AA).
E shkruar në bashkëpunim me përfaqësuesit e SHBA-së dhe Rusisë, rezolutën unanimisht e konfirmuan ministrat e financave të anëtareve të Këshillit të Sigurimit në takimin e parë të këtij lloji të zhvilluar mbrëmë.
Rezoluta kërkon nga shtetet të shtrëngojnë masat në prerjen e burimeve të financimit të DAESH-it, veçanërisht kur është fjala për tregtinë e naftës, dhe shpreh shqetësimin për shkak të mosimplementimit të rezolutave të mëparshme, qëllimi i të cilave ishte eliminimi i financimit të terrorizmit.
Në rezolutë theksohet se vendimi i mëprashëm, në bazë të të cilit vendet u detyruan të ndalojnë të gjithëve në territorin e tyre formimin e fondeve në dispozicion të organizatave terroriste, të "zbatohet edhe në situata kur nuk ka lidhje me veprat konkrete terroriste".
Organizata terroriste DAESH është nën sanksionet e Këshillit të Sigurimit që nga mesi i 2013, kur është shtuar në "Listën e sanksioneve kundër Al Kaedës". Me rezolutë të re emri i listës u zëvendësua me "Listën e sanksioneve kundër DAESH-it dhe Al Kaedës".
Ministri i financave të SHBA-së, Jacob Lew, i cili kryesoi seancën e KS-së, deklaroi se me këtë rezolutë janë forcuar mekanizmat e komunitetit ndërkombëtar i cili do të kufizojë qasje të DAESH-it në burimet ekonomike dhe në sistemin ndërkombëtar financiar.
Në deklaratën e dhënë para seancës së KS të OKB-së, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon tha se DAESH menaxhon me një ekonomi multimilionëshe dollarëshe në territoret që kontrollon.
"Ashtu siç grupet terroriste përmirësohen dhe zhvillohen, ashtu komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë në linjën e parë të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit", ka thënë Ban duke shtuar se rezoluta do të intensifikojë përpjekjet, do të identifikojë pikat e dobëta dhe do të përmirësojë sistemin e rregullimit me qëllim të përmirësimit të të drejtave të njeriut.