İdris Okuducu
15 Tetor 2017•Përditësim: 15 Tetor 2017
KIRKUK (AA) – Në kulmin e tensioneve mes forcave irakiane Hashd Saabi dhe peshmergëve kurdë në Kirkuk, sot në Suleymania janë takuar presidenti i Irakut, Fuad Masum dhe presidenti i Administratës Rajonale Kurde në veri të këtij vendi, Mesud Barzani, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura në qytetin Dokanu, ndërsa të pranishëm ishin edhe krerët e Partisë Demokratike Kurde dhe Unioni i Patriotëve Kurdë.
Paralelisht me këtë, në qytetin e pasur me naftë Kirkuk kanë vazhduar tensionet mes forcave proirakiane Hashd Shaabi dhe peshmergëve prokurdë.
Në mesnatë skadoi afati të cilin autoritetet irakiane ia dhanë Administratës Rajonale Kurde për të dorëzuar kontrollin mbi aeroportin, bazat ushtarake dhe burimet e naftës në këtë rajon, prandaj banorët janë shqetësuar për shpërthimin e mundshëm të përleshjeve.
Njëri nga komandantët e forcave proirakiane, Hadi Amir, sot në mëngjes deklaroi se nga Bagdadi nuk kanë marrë kurrfarë urdhëri për sulm ndaj pozitave të peshmergëve kurdë.
Kjo deklaratë deri diku uli shqetësimin e banorëve në Kirkuk, ku sot në mëngjes u hap trafiku, institucionet publike dhe tregtare të cilat kohëve të fundit nuk kanë punuar për shkak të rrezikut mbi sigurinë.
Njëri nga komandantët peshmerg, koloneli Behjet Omer Selim për AA tha se mbrëmë nuk ka patur përleshje me forcat proirakiane Hashd Shaabi, por se forcat edhe më tej rrisin praninë ushtarake në rajon në të cilin vija ndarëse është dhjetëra metra.
Paralelisht me këtë, forcat Hashd Shaabi janë stacionuar edhe në rajonin Tuzhurmat ku jetojnë banorë kurdë dhe turkemenë.