Fatjon Cuka
26 Qershor 2019•Përditësim: 27 Qershor 2019
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Shqipërisë, ka mbajtur sot një seancë në lidhje me kërkesën për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky komision ka miratuar raportin që i propozon Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë në seancë plenare ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar "shkeljen e rëndë të Kushtetutës nga presidenti i Republikës që ka të bëjë me anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor".
Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja, gjatë fjalës në komision tha se vazhdojnë procedurat parlamentare mbi kërkesën për shkarkimin e Metës.
"Komisioni ynë në shqyrtimin e kësaj kërkese është komision përgjegjës. Kemi operuar sipas kalendarit të posaçëm që kemi miratuar në komision për shqyrtimin e kësaj kërkese me propozimin që Kuvendi i Shqipërisë të ngre një komision hetimor parlamentar për të hetuar shkeljen e rëndë të Kushtetutës nga ana e presidentit të Republikës, si pjesë e procedurës parlamentare për shkarkimin. Shkarkimi është iniciuar nga kërkesa e 55 kolegëve deputetë", tha Manja.
Ky propozim duhet të miratohet në seancë plenare nga Kuvendi i Shqipërisë, që të fillojnë procedurat e mëtejshme mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti i vendit mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, ndërsa propozimi për shkarkimin e tij në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
Kushtetuta përcakton se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të vendit deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aktualisht nuk është funksionale për shkak të procesit të reformës në drejtësi dhe përgatitjeve për zgjedhjen e anëtareve të rinj të saj.
Kujtojmë se pas protestave dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore nga partitë opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), presidenti Meta zyrtarizoi më 10 qershor vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore, duke vendosur anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshton vendimin për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa partia në pushtet, Partia Socialiste (PS) vazhdon fushatën për zgjedhjet vendore.
Më 17 qershor Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri Rama ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta, me arsyetimin se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese.