Ekip
13 Mars 2016•Përditësim: 14 Mars 2016
BANDUNG (AA) – Të paktën dy persona kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë llogariten si të zhdukur në qytetin indonezian Bandung në ishullin Java, i cili është vend i përmbytjeve të mëdha, pasi lumi Citarum doli nga shtrati pas reshjeve intensive monsune të shiut, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga administrata e Mbrojtjes Civile njoftuan se nga rajoni më i rrezikuar janë evakuuar 24.000 banorë, dhe në terren gjenden ekipe të shpëtimit për të ndihmuar njerëzit në qytetin e përmbytur. Bandung gjendet 180 kilometra në juglindje të Xhakartës dhe bëhet fjalë për qytetin e tretë më të madh indonezian.
Periudha e reshjeve të rrëmbyeshme monsune në Indonezi fillon në fillim të nëntorit, ndërsa zgjat deri në mes të muajit mars. Kjo është periudha kur mijëra familje në mbarë vendin braktisin shtëpitë të përmbytura në ujë. Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të zgjasin edhe disa ditë.
Nga Mbrojtja Civile paralajmërojnë se edhe pas tërheqjes së ujit në shtratin e lumit nëpër qytete edhe më tej situata do të jetë alarmante, para se gjithash, për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe rrezikut nga përhapja e sëmundjeve ngjitëse.