Recep Şakar
13 Janar 2018•Përditësim: 14 Janar 2018
MELBOURNE (AA) – RECEP ŞAKAR
Dyneri, një prej ushqimeve më të preferuara të kuzhinës turke, falë të ashtuqajturave “qebaptoreve karvan” në Australi, është bërë pjesë e pandarë e personave që i kaplon uria gjatë natës.
Dyneri, i njohur falë komunitetit turk, i cili do të festojë 50-vjetorin në Australi, shitet edhe natën nga tre mijë qebaptore karvan në rrugët e frekuentuara në mbarë vendin.
Në orët kur shumë njerëz tërhiqen për të pushuar nga lodhja e ditës, qebaptorët karvan sigurojnë jetesën me hapjen e qepenave nga orët e para të mbrëmjes e deri në agim, duke shitur sanduiçë të mbushur me mish dyneri.

Prej problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohen shitësit e dynerit të cilët u shërbejnë australianëve me origjina të ndryshme etnike, janë puna natën dhe fjetja ditën dhe pamundësia për t’iu përkushtuar mjaftueshëm familjeve, mungesa e jetës sociale, veresie-marrësit, të varurit nga substancat e ndryshme dhe klientët e pasjellshëm.
- “Falë Zotit, fitimi është i mirë”
Ali Karabacak, qebaptor në qendër të qytetit të Melbournit, për Anadolu Agency (AA) tha se përjeton vështirësi për shkak të punës së zgjatur natën, por pohoi se megjithatë, fitimi është i mirë.
“Falë Zotit, fitimi është i mirë, por prishet pak jeta në shtëpi nga të punuarit natën dhe fjetjes ditës, por nuk kemi çfarë të bëjmë, puna është punë", u shpreh Karabacak.
Sherife Karabulut, e cila punon me familjen në një zonë të Melbournit ku ka shumë turq, tha: “Po shkon shumë mirë. Kanë kaluar 17 vite dhe falë Zotit nuk kemi përjetuar asnjë problem. Prej atyre që vijnë shpesh, kemi edhe klientë turq edhe të huaj. Jemi shumë të lumtur, familjarisht jemi këtu, familjarisht rrimë, familjarisht hamë dhe pimë dhe shesim. Është diçka e bukur".
Mustafa Hasmaden, i cili në këtë profesion ka kaluar 18 vite, bëri të ditur se punon pa pushim.
“Jemi të hapur shtatë ditë të javës, për festa zyrtare, si dhe për festat e fesë sonë. Nuk mund ta mbyllim. Klientët duan", tha ai.
Ndërkaq, Adnan Akgül, i cili për çerek shekulli ka qenë qebaptor karvan në një rrugë të frekuentuar të Sidnejit, tha se klientët përgjithësisht janë taksistë ose njerëz të cilët e duan jetën e natës.
Ai pohoi se në të shumtën e rasteve përballet me klientë të buzëqeshur, megjithatë, theksoi se ka probleme me ata të cilët e teprojnë me pirjen e alkoolit.

Një prej klientëve të përhershëm të qebaptoreve karvan, Anisn Rahman, taksist në Sidnej, shprehet i lumtur që karvanët janë të hapura edhe natën.
“Qebapi turk është shumë i shijshëm dhe i mrekullueshëm. Meqë është hapur tërë natën, mund të shkojmë kur të duam dhe kjo është diçka shumë e mirë", tha ai.
- Punë në vlerë prej dy miliardë dollarësh
Sanduiçët me dynerë, nga tre mijë qebaptoret karvan, shitet për dhjetë dollarë australianë në mbarë vendin, duke filluar nga rrugët e frekuentuara të qyteteve e deri në qyteza.
Qebaptoret karvan kanë të ardhura me një mesatare javore prej tetë mijë e 500 dollarë australianë, ndërsa të ardhurat vjetore bruto arrijnë në 442 mijë dollarë australianë.
Nga ana tjetër, bashkë me shitësit e dynerëve që shesin ditën, numri arrin në pesë mijë vende pune, ndërsa të ardhurat vjetore bruto në dy miliardë dollarë australianë.