Elena Teslova
24 Qershor 2022•Përditësim: 24 Qershor 2022
Rreth 2.000 trupa ukrainase janë të rrethuar në rajonin Luhansk të vendit, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trupat, duke përfshirë ushtarakë, mercenarë dhe luftëtarë të grupit të ekstremit të djathtë, janë bllokuar midis vendbanimeve Zolote dhe Hirske, tha Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, në një konferencë për shtyp në Moskë.
Gjatë ditës së kaluar, 41 ushtarë u dorëzuan pasi komunikimi me komandën e lartë u ndërpre së bashku me furnizimet e tjera, tha zëdhënësi.
Trupat ukrainase gjithashtu dorëzuan armët në pjesë të tjera të vendit, tha Konashenkov, duke shtuar se shefat ushtarakë ukrainas tani po rekrutojnë qytetarë të patrajnuar.
Duke dhënë detaje të objektivave të goditur, ai tha se avionët rusë shkatërruan pajisje ushtarake në 367 pika, pesë depo municionesh dhe disa njësi artilerie dhe mortajash.
Gjithashtu, me raketa është goditur një sistem i mbrojtjes ajrore S-300 pranë Odesa-s, shtoi ai.
“Në total, që nga fillimi i operacionit special ushtarak janë shkatërruar 213 avionë, 132 helikopterë, 1.334 mjete ajrore pa pilot, 350 sisteme të mbrojtjes ajrore, 3.769 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 659 mjete luftarake raketahedhëse me shumë tyta, 3.002 artileri fushore dhe mortaja, si dhe janë shkatërruar 3.835 makina speciale ushtarake”, tha ai.
Sipas OKB-së, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt më shumë se 4.634 civilë janë vrarë në Ukrainë.
Mbi 14 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë më shumë se 8 milionë që kanë ikur në vende të tjera, sipas shifrave të OKB-së.