Servet Günerigök
28 Janar 2019•Përditësim: 28 Janar 2019
WASHINGTON (AA) - Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, ka paralajmëruar për një “reagim kuptimplotë” ndaj çdo kërcënimi kundër diplomatëve të SHBA-ve në Venezuelë apo ndaj presidentit të vetëshpallur të vendit", transmeton Anadolu Agency (AA).
“Çdo dhunë dhe kërcënim ndaj personelit diplomatik të SHBA-ve, udhëheqësit demokratik të Venezuelës, Juan Guaido ose vetë Asamblesë Kombëtare, do të përfaqësonte një sulm të rëndë në sundimin e ligjit dhe do të ballafaqohet me një reagim kuptimplotë”, shkroi Bolton në llogarinë e tij në Twitter.
Bolton po ashtu theksoi se “mbështetja dhe kontrolli i Kubës mbi sigurinë dhe forcat paraushtarake” të presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, janë të njohura.
Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Maduro u betua për një mandat të dytë pas një bojkoti votash nga opozita.
Të mërkurën, Guaido, udhëheqësi i Asamblesë Kombëtare dhe kreu i opozitës venezuelase, u vetëshpall president i vendit, veprim i cili u mbështet menjëherë nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Maduro shpejt reagoi, duke shkurtuar marrëdhëniet diplomatike me Washingtonin dhe duke u dhënë diplomatëve amerikanë 72 orë për t’u larguar nga vendi.
Maduro është përplasur në mënyrë të përsëritur me SHBA-të, duke theksuar se Washingtoni po bën një luftë ekonomike kundër tij dhe qeverisë së tij mes një fushate të gjerë sanksionesh.
Brazili dhe Organizata e Shteteve Amerikane e njohën Guaido-n si udhëheqës të Venezuelës para njoftimit të tij zyrtar. Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja dhe Paraguai ndoqën këtë shembull ndërsa Bolivia dhe Meksika vazhdojnë të njohin Maduro-n.
Disa vende të Amerikës Jugore, si dhe Rusia ,Turqia, Kina dhe Irani, po ashtu kanë shprehur solidaritet me Maduro-n.
Vendet e rëndësishme evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Spanjën, morën një qëndrim të ngjashëm kundër presidentit të zgjedhur të Venezuelës dhe i kërkuan atij të shpallë zgjedhje të reja brenda 8 ditëve të ardhshme për të lehtësuar krizën aktuale politike në këtë vend amerikano-jugor.