Felix Nkambeh Tih,Muniıra Abdelmenan Awel
30 Janar 2018•Përditësim: 31 Janar 2018
ANKARA (AA) – Fondacioni turk i Çështjeve Fetare (TDV) ka njoftuar se shkolla e lartë “Sheikh Sufi Imam Hatip” në kryeqytetin somalez Mogadishu, e cila u restaurua gjashtë vite më parë, aktualisht pret 500 studentë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas konsulentit të shërbimeve fetare të Turqisë në Somali, Ahmet Aktürk, shumë studentë janë jetimë, duke shtuar se 270 prej tyre janë konviktorë. “Të gjitha shpenzimet e studentëve janë të mbuluara nga TDV dhe fondacioni do të sigurojë që studentët të vazhdojnë studimet e tyre universitare”, tha Aktürk.
Turqia filloi të iniciojë projekte të ndryshme në Somali në vitin 2011 kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nisi një iniciativë për të ndihmuar vendin e Afrikës Lindore, i cili po pësonte një krizë për shkak të thatësirës. Iniciativa më vonë u rrit në aktivitete të tjera humanitare dhe projekte edukative.
Shkolla e lartë “Sheikh Sufi Imam Hatip”, e cila ka ekzistuar në Mogadishu që nga viti 1960, ndërpreu mësimin në vitin 1991 për shkak të luftës civile.
Sipas TDV-së, një protokoll i ri i nënshkruar me Ministrinë e Arsimit të Somalisë në vitin 2012 çoi në rifillimin e aktivitete arsimore të kësaj shkolle të lartë. Përafërsisht 2 mijë studentë aplikojnë në këtë shkollë çdo vit, por vetëm 100 pranohen për shkak të kufizimeve të kuotave.
Një student i klasës së njëmbëdhjetë, Muhammad Hasan, tha se kjo shkollë ishte një mundësi e madhe për të gjithë studentët atje. “Ne kemi marrë një kombinim të njohurive shkencore dhe fetare, ne mësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.
Ndërsa sipas studentes Leyla Sherif, kjo shkollë ofron jo vetëm arsim, por edhe shërbime të sigurisë dhe shëndetësisë. “Shkolla jonë është një nga shkollat më të mira në Somali. Ne mësojmë si fenë ashtu edhe shkencën dhe lënda ime e preferuar është turqishtja”, tha ajo.
Që nga viti 2011, TDV ka ndërtuar qendra për invalidët, spitalet dhe jetimoret në Mogadishu.