Mücahit Aydemir,Barış Seçkin,Yusuf Özcan
25 mars 2021•Përditësim: 26 mars 2021
Ministrja e Jashtme e Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Najla Mangoush u takua me homologët nga Franca, Gjermania dhe Italia të cilët ndodhen për vizitë zyrtare në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mangoush bëri një deklaratë të përbashkët për media në Zyrën e kryeministrisë në kryeqytetin Tripoli me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio.
Ajo vuri theksin se stabiliteti i Libisë krahas vendeve të rajonit do të reflektojë pozitivisht edhe në stabilitetin e Evropës.
Duke vënë theksin se "Parimi i sovranitetit të Libisë nuk do të jetë temë diskutimi" në strategjinë e politikës së jashtme të Qeverisë së Unitetit Kombëtar, Mangoush tha se "Theksojmë se të gjithë ushtarët mercenarë duhet të dalin në mënyrë urgjente nga territoret e vendit".
Ajo tha se me homologët evropianë biseduan lidhur me përshpejtimin e proceseve për hapjen e ambasadave dhe konsullatave të Libisë si dhe nevojën që procedurat e vizave të zhvillohen brenda Libisë dhe jo jashtë saj.
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, në një deklaratë tha se "Janë hedhur një sërë hapash që Libia të arrijë stabilitetin dhe sovranitetin".
Më tej Le Drian bëri të ditur se në Libi duhet të sigurohet armëpushimi dhe se ata ndodhen këtu për të mbështetur zyrtarët libianë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Maas theksoi nevojën e tërheqjes së ushtarëve mercenarë si një parakusht për përgatitje në zgjedhjet që po afrojnë në vend. Ai bëri të ditur se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndjekë embargon e armëve ndaj Libisë.
Ministri italian Di Maio njoftoi se kanë ardhur në Tripoli sot për të qenë dëshmitarë si BE në procesin e paqes të Libisë. "Nëse do të ketë kërkesë nga autoritetet libiane ne jemi pro pjesëmarrjes së Evropës në koordinim me OKB-në në mekanizmin e vëzhgimit të armëpushimit të OKB-së", tha Di Maio.
Ai vuri në dukje se ata vlerësojnë përpjekjet e Libisë kundër trafikantëve të qenieve njerëzore për të menaxhuar fluksin e migrimit të parregullt dhe për kontrollin e kufijve të saj. "Por, në të njëjtën kohë presim që (Libia) të garantojë respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut", tha Di Maio.
Si rezultat i votimit nga anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik që u mblodhën më 5 shkurt nën kryesimin e OKB-së në Gjenevë, Mohammad Younes Menfi u zgjodh në krye të Këshillit Presidencial në Libi ndërsa Abdul Hamid Mohammed Dbeibah në detyrën e kryeministrit.
Najla Mangoush, u emërua në detyrën e ministres së jashtme pasi Abdul Hamid Mohammed Dbeibah mori qeverisë nga ish kryeministri Fayez al-Sarraj me 16 mars në ndërtesën e kryeministrisë në Tripoli.