Halit Süleyman
17 Nëntor 2016•Përditësim: 17 Nëntor 2016
HALEP (AA) – Së paku 61 persona kanë humbur jetën, ndërsa 133 të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve ajrore të cilat nuk kanë pushuar gjatë 24 orëve të fundit në Halep të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sulmet janë kryer në rajonet që janë nën kontroll të opozitës siriane. Nëpunës i Mbrojtjes civile në Halep, Bibers Mishal tha për AA se avionët ushtarak rusë kanë bombarduar rajonin Bateb në perëndim të Halepit, duke përdorur bomba të fuqisë së madhe shkatërruese.
Sipas tij, gjatë bombardimeve janë shkatërruar 25 shtëpi, ndërsa ekipet e mbrojtjes civile që janë në terren, janë duke punuar për nxjerrjen e civilëve që kanë mbetur nën rrënoja.
Mishal tha se në Bateb kanë humbur jetën 19 civilë, ndërsa 50 janë lënduar. “Spitalet janë mbushur plot me të plagosur pas sulmeve ajrore të kryera në lagjet në lindje të Halepit. Shumë spitaleve të improvizuara urgjentisht u nevojit gjak. Për shkak të mungesës së pajisjes mjekësore dhe barnave gjendja e shumë pacientëve është kritike”, u shpreh Mishal.
Aktivisti lokal në Halep, Ebu Yusuf konfirmoi se avionët rusë dhe avionët e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad bombardojnë Halepin me lloje të ndryshme të bombave shkatërruese.
Yusuf theksoi se objektiv të sulmeve ajrore janë civilët dhe se situata humanitare në rajonet që janë nën kontroll të opozitës siriane po përkeqësohet nga dita në ditë. “Në Halep po mbisundon një dramë njerëzore dhe kjo askujt nuk po i intereson. Të ndodhte diçka e tillë në Perëndim mbarë bota do të ishte ngritur në këmbë”, porositi Yusuf.