Islam Uddin
07 Nëntor 2022•Përditësim: 07 Nëntor 2022
Talebanët afganë zbuluan vendndodhjen e varrit të udhëheqësit të tyre themelues Mullah Omar pas nëntë vjetësh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për herë të parë, udhëheqja e lartë e talebanëve afganë të dielën vizitoi publikisht varrin e liderit të tyre themelues në rrethin Suri të provincës Zabul dhe publikoi një video dhe foto të vendndodhjes.
Talebanët u kthyen në pushtet në Afganistan vitin e kaluar më 15 gusht pasi zyrtarët e administratës së Kabulit të mbështetur nga SHBA-ja u larguan nga vendi dhe forcat e huaja u tërhoqën.
"Gjatë ceremonisë u zbulua varri i të ndjerit Amirul Momineen Mullah Muhamed Omar Muxhahid. Kryeministri dhe anëtarët e kabinetit shkuan në faltoren e Amirul Momineen në zonën Umarzo të rrethit Suri të Zabulit", shkroi në Twitter zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid.
Ai postoi gjithashtu një video dhe foto ku liderët kryesorë, duke përfshirë kryeministrin në detyrë Mullah Mohammad Hassan Akhund, zëvendëskryeministrin në detyrë Mullah Baradar, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Mohammad Yaqub Mujahid, dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Sirajuddin Haqqani, shihej se morën pjesë në ceremoni.
I lindur në Kandahar, Mullah Omar themeloi grupin e talebanëve në vitin 1994 dhe shërbeu si udhëheqës deri në vdekjen e tij.
Zyrtarët gjithashtu mbajtën një ceremoni lutjeje dhe recitimi të Kuranit gjatë vizitës në varrin e udhëheqësit të tyre, i cili vdiq në vitin 2013.
"Kur doli nga Kandahari (pasi SHBA-ja pushtoi Afganistanin në vitin 2001), ai erdhi në provincën Zabul dhe ishte në rrethin Suri. Megjithatë, ai shkoi në rrethin Shinkay për 20 deri në 25 ditë dhe më pas u kthye në rrethin Suri dhe ishte këtu deri në vdekjen e tij", tha djali i Mullah Omarit dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Muhammad Yaqoob Mujahid, në ceremoninë në provincën Zabul.
Talebanët e mbajtën të fshehtë vdekjen e tij për dy vjet, duke e zbuluar atë vetëm në prill të vitit 2015.