Emre Aytekin
07 Nëntor 2022•Përditësim: 08 Nëntor 2022
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi mbrëmë se ka gjurmuar 44 avionë luftarakë kinezë, katër anije luftarake dhe dy dronë ushtarakë rreth ishullit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Automjetet kineze ajrore dhe detare monitorohen nga mjetet elektronike të gjurmimit, avionët e patrullimit, anijet dhe sistemet e raketave me bazë tokësore, sipas Ministrisë.
Tensionet midis Pekinit dhe Washington-it janë përshkallëzuar pasi Kina filloi operacione të paprecedentë ushtarake rreth Tajvanit në gusht, kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi bëri një vizitë të paparalajmëruar në vendin ishullor të vetëqeverisur.
Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pasi komunistët korrën fitore në një luftë civile në tokë. Të dyja palët thonë se janë një shtet, por nuk pajtohen se cila qeveri ka të drejtën e udhëheqjes kombëtare në Tajvan. Pekini dhe Taipei nuk kanë marrëdhënie zyrtare, por janë të lidhura me miliarda dollarë në tregti dhe investime.
Kina e sheh Tajvanin si "provincën e saj të shkëputur". Pekini është zotuar të ribashkojë ishullin, duke përfshirë edhe me përdorimin e forcës nëse është e nevojshme.
Përveç demonstrimit të fuqisë ushtarake, Pekini ka zvogëluar dialogun ushtarak me SHBA-në dhe ka pezulluar bashkëpunimin për çështjet e ndryshimeve klimatike, së bashku me gjashtë kundërmasa të tjera.