Erkan Avci
25 Gusht 2016•Përditësim: 25 Gusht 2016
WASHINGTON (AA) – Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau, duke hedhur poshtë pretendimet se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Turqisë duhen rindërtuar, tha se “Lidhja jonë me Turqinë gjithsesi është shumë e fuqishme përmes aleancës sonë në NATO”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën ditore për media, Trudeau iu përgjigj pyetjeve në lidhje me praninë e degës së PKK-së në Siri, PYD, si dhe vizitën e Zv/Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden në Turqi.
Me rikujtimin e fjalëve të Joe Bidenit gjatë vizitës në Ankara se në rast se forcat kurde tërhiqen nga pjesa perëndimore e Eufratit nuk do ta kenë mbështetjen e SHBA-ve, Trudeau rikujtoi se kurdët ua kanë dhënë fjalën që pas përfundimit të operacioneve do të tërhiqen.
“Komandantët kurdë kanë dhënë fjalën se vendet e çliruara nga DAESH-i do t’ia lënë në dorë popullit vendas. Presim që ata t’i qëndrojnë këtij premtimi. Kontrolli i vendeve të çliruara nga DAESH-i duhet të jetë në dorën e popullit vendas”, tha Trudeau.
Në një pyetje në lidhje me atë se a është mënjanuar gjatë vizitës së Bidenit në Turqi divergjenca mes Ankarasë dhe Washingtonit në lidhje me forcat e PYD-së, Trudeau tha se “Vizita e Zv/Presidentit Biden tregon që Turqinë nuk e shohim vetëm si një aleat të rëndësishëm në NATO, por e shohim edhe si të rëndësishme në luftën që e shfaq kundër DAESH-it”.
Trudeau nënvizoi se nuk i pranon pretendimet se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Turqisë duhen rindërtuar. “Nuk pranoj se bëhet fjalë për marrëdhënie që duhet rindërtuar. Lidhja jonë me Turqinë gjithsesi është shumë e fuqishme përmes aleancës sonë në NATO”, u shpreh ajo.
- Kërkesa për ekstradimin e Gülenit
Trudeau gjithashtu iu përgjigj pyetjeve rreth ekstradimit të kreut të Organizatës Terroriste FETO, Fetullah Gülen. Duke vënë në pah se ekstradimi i fajtorëve gjithmonë merr kohë, theksoi se ende po vazhdon analizimi i materialeve të dorëzuara nga pala turke. Ajo u shpreh se po vazhdojnë të punojnë me autoritetet turke.
Në pyetjen se në bazë të marrëveshjes reciproke për ekstradim, a janë të detyruara SHBA-të që së paku ta arrestojnë personin për të cilin kërkohet ekstradimi nga ndonjë shtet apo t’i thonë se e ka të ndaluar ta braktisë shtetin, Trudeau vlerësoi se “Mendoj se kjo mund të jetë pjesë e kërkesës për ekstradim. Megjithatë, nuk kam informacione se a është marrë ndonjë vendim në lidhje me këtë çështje (ekstradimin e Gülenit)”.