Ramazan Ercan
02 Nëntor 2016•Përditësim: 03 Nëntor 2016
IZMIR (AA) - RAMAZAN ERCAN
Është ulur përsëri në muajin tetor, numri i refugjatëve që udhëtojnë për një jetë më të mirë drejt Evropës, nga Turqia përmes rrugëve ilegale drejt ishujve grekë, raporton Anadolu Agency (AA).
Numri i refugjatëve të kapur nga ekipet e rojës bregdetare gjatë muajit tetor në Detin Egje ka rënë 28.8 për qind duke shkuar në 2.437.
Sipas informacioneve të mbledhura nga gazetari i AA, shumë njerëz që vijnë nga vendet e konfliktit për arsye të ndryshme në Turqi dhe që synojnë të udhëtojnë drejt vendeve të Evropës, vazhdojnë të kalojnë drejt ishujve grekë. Edhe pse në krahasim me vitin e kaluar ka një rënie të ndjeshme të kalimeve, ato ende vazhdojnë.
Numri i atyre që kalojnë klandestinë pas marrëveshjes mes Turqisë dhe BE-së më 18 mars 2016 për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ka rënë në qindra. "Udhëtimi drejt shpresës" kaloi përsëri në rritje gjatë muajit korrik, ndërsa gjatë muajit shtator ai arriti në kulmin e 6 muajve të fundit, duke kapur shifrën 3.425.
Rreth 35 mijë të kapur
Ekipet e rojës bregdetare, gjatë muajit tetor kanë mundur të kapin 2.437 klandestinë në Detin Egje. Edhe pse ky numër është më i lartë se në muajt prill, maj, qershor, korrik dhe gusht, ai është 28.8 për qind më i ulët se në muajin shtator.
Në Detin Egje gjatë muajit janar janë kapur 5.506 klandestinë, gjatë shkurtit 8.747, gjatë marsit 8.530, gjatë prillit 1.717, gjatë majit 1.109, gjatë qershorit 538, gjatë korrikut 881, gjatë gushtit 1.603 dhe gjatë muajit shtator 3.425 klandestinë.
Që prej fillimit të këtij viti numri i klandestinëve të kapur është 34.493. Ndërkohë në të njëjtën kohë të vitit të kaluar ky numër ishte 73.479.