Tufan Aktaş
22 Shkurt 2017•Përditësim: 23 Shkurt 2017
ADDIS ABABA (AA) - Unioni Afrikan ka bërë të ditur se do të mobilizohet për t'i dhënë fund luftimeve në rritje dhe krizës njerëzore në Sudanin Jugor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Komisionit të Unionit Afrikan, Nkosozana Dlamimi Zuma, përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se javëve të fundit janë shtuar shkeljet e armëpushimit në Sudanin Jugor dhe se situata e njerëzve është duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë, duke shtuar se ndihet tejet i shqetësuar nga kjo gjendje.
Në deklaratë bëhet e ditur se Përfaqësuesi i Lartë i Unionit Afrikan në Sudanin Jugor, Alpha Omer Konare brenda një kohe të shkurtër do të fillojë takimet me autoritetet e Sudanit Jugor dhe qeveritë rajonale për gjetjen e zgjidhjes për problemet. Në deklaratë u bëhet thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë marrëveshjen e armëpushimi të nënshkruar në vitin 2015.
"Dhuna nuk është zgjidhje për problemet me të cilat përballet qeveria dhe populli i Sudanit Jugor", thuhet në deklaratë, teksa theksohet se është ndezur alarmi për gjendjen e përkeqësuar humanitare për shkak të numrit në rritje të refugjatëve dhe migrimit të brendshëm.
Ndryshe, Sudani Jugor, i cili ka shpallur pavarësinë dhe është ndarë nga Sudani, u trondit nga dhuna kur presidenti Salva Kiir shkarkoi zëvendësin e tij Riek Machar më 16 dhjetor të vitit 2013, duke e akuzuar për komplot për përmbysjen e tij.
Si rezultat i takimeve për paqe nën monitorimin e Autoritetit Ndërqeveritar për Zhvillim (IGAD), palët më 17 gusht të vitit 2015 arritën marrëveshje. Më 28 prill në funksion hyri qeveria e përkohshme kombëtare e cila u krijua sipas marrëveshjes. Megjithatë, marrëveshja u ndërpre pas fillimit të luftimeve më 8 korrik mes forcave të sigurisë që vepronin nën urdhrat e presidentit të shtetit dhe simpatizantëve të Machar.
Së fundmi, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe qeveria njoftuan se në dy rajone të shtetit Unity është shpallur krizë urie.