Cuneyt Davut
09 Shtator 2016•Përditësim: 10 Shtator 2016
NESEBAR (AA) - Asambleja e 25-të e Përgjithshme e Agjencive të Lajmeve në Evropën Juglindore (ABNA-SE) dhe mbledhja e tetë vjetore e Agjencive Kombëtare të Lajmeve të Detit të Zi (BSANNA) po vazhdojnë me mbledhjet që po organizohen në ditën e dytë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në mbledhjet që po organizohen në mikpritjen e Agjencisë Bullgare Telgraf (BTA) në qytetin lindor të Bullgarisë Nesebar, u diskutuan tema si publiciteti për vendet e Ballkanit dhe rritja e bashkëpunimit mes kompanive mediatike të rajonit dhe asambleve.
Mysafiri i nderit i ABNA-SE, kryetari i Komunës së Nesebarit Nikolai Dimitrov, në deklaratën që e bëri gjatë mbledhjes, duke ofruar të dhëna rreth qytetit bregdetar Nesebar, u shpreh se ndihet i kënaqur që mbledhjet po organizohen në këtë qytet.
Dimitrov theksoi se Nesebar ka shënuar zhvillime tejet të rëndësishme në aspektin e turizmit, duke shtuar se brenda vitit qytetin e vizitojnë afërsisht 500 mijë turistë.
Po ashtu, në mbledhjen e organizuar nga drejtori i Përgjithshëm i BTA-së, Maksim Minçev u mor vendimi që bordit drejtues të ABNA-SE t’i shtohen edhe postet e ndihmëskryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm.
Gjatë mbledhjes u theksua se vitin e ardhshëm fondi i ABNA-SE do të zyrtarizohet në Bukuresht, ku më pas çmimi vjetor për anëtarsi do të jetë 500 euro. Gjithashtu u bë e ditur se burimet financiare në fjalë do të shfrytëzohen për mbështetjen e vendeve ku do të organizohen mbledhjet e ardhshme.
Krahas kësaj, në mbledhje u theksua se do të bëhen ndryshime rregullash në emërtimin e agjencive dhe vizionin e ABNA-SE, duke u thënë më tej se për shkak se në mbledhje nuk ishin të pranishëm dy të tretat e anëtarëve, nuk janë bërë zgjedhje të anëtarëve të bordit drejtues.
Ndërkohë, Unioni i Agjencive të Lajmeve të Mesdheut nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim me ABNA-SE dhe BSANNA.
Për organizimin e vitit të ardhshëm si kandidat potencial u tregua edhe Shqipëria, ndërkohë që kryetari i ri BSANNA-s u zgjodh Minçev.
Ndryshe, në asamble po marrin pjesë Anadolu Agency (AA) nga Turqia, MIA nga Maqedonia, ATA nga Shqipëria, FENA nga Bosnjë dhe Hercegovina, TANJUG nga Serbia, si dhe shumë agjenci nga shtetet e rajonit të Ballkanit. Ndërkaq, në cilësi të përfaqësuesit të AA-së merr pjesë Editori për gjuhën shqipe dhe maqedonase Adnan Idriz.
Asambleja do të vazhdojë punimet deri më 11 shtator.