Mehmet Alaca
10 Shkurt 2022•Përditësim: 10 Shkurt 2022
Ndërkohë që vazhduan në ditën e tretë protestat para parlamentit në kryeqytetin e Zelandës së Re, Wellington, kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe mbajtjes së maskës, policia arrestoi dhjetëra protestues, transmeton Anadolu Agency (AA).
Arrestimet erdhën pasi kryeparlamentari, Trevor Mallard tha se protestuesit po shkelnin zonën pa leje.
Më shumë se 100 policë nga pjesë të tjera të vendit janë thirrur në kryeqytet ndërsa më shumë se 50 persona janë arrestuar.
Komandanti i qarkut në Wellington, Corrie Parnell tha se policia lejoi të drejtën për të protestuar, por se ajo duhet të zhvillohet në mënyrë që të mos cenojë opinionin publik. Ai theksoi se vazhdimisht u bëjnë thirrje protestuesve të largohen nga zona dhe pastaj kanë filluar t'i evakuojnë ata.
“Protestat e automjeteve” nisën të martën më 8 shkurt ku rreth 1.000 protestues, kryesisht pa maska, të cilët thuhet se kishin ardhur nga i gjithë vendi, bllokuan me orë të tëra rrugët e kryeqytetit dhe më pas u mblodhën para parlamentit.
Automjetet e parkuara në mes të rrugëve përreth parlamentit bllokuan trafikun. Shumë biznese në rajon ndërprenë punën për shkak të protestave.
Protestat, ndryshe nga ato të mëhershmet, u injoruan kryesisht nga ligjvënësit ndërsa kryeministrja, Jacinda Ardern i përshkroi protestuesit si një pakicë. "Shumica e banorëve të Zelandës së Re bënë gjithçka që mundën për të mbajtur njëri-tjetrin të sigurt", tha ajo.
Ankesat e protestuesve përfshijnë detyrimin për të vaksinuar punonjësit, përfshirë mësuesit, mjekët, infermierët, personelin policor dhe ushtarak, kundër COVID-19. Protestuesit kundërshtojnë gjithashtu kërkesën për mbajtjen e maskave në vende të tilla si dyqane dhe shkolla.
Në vendin me një popullsi prej 5 milionë banorësh, 53 persona humbën jetën nga virusi gjatë pandemisë së COVID-19.
Sipas të dhënave nga "Our World in Data" rreth 77 për qind e banorëve të Zelandës së Re janë të vaksinuar.