Ekip
27 Maj 2018•Përditësim: 28 Maj 2018
ISLAMABAD (AA) – Komisioni Suprem Zgjedhor i Pakistanit ka njoftuar se zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 25 korrik, këtë vit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftim theksohet se presidenti pakistanez, Mamnoon Hussain, aprovoi datën e propozuar për mbajtjen e zgjedhjeve për përbërjen e re të parlamentit shtetëror dhe parlamenteve në provincat pakistaneze.
Kushtetuta e Pakistanit urdhëron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në afat prej 60 ditëve nga dita e skadimit të mandatit të përbërjes së kaluar.
Këto do të jenë zgjedhjet e para parlamentare qëkur Gjykata Supreme shkarkoi nga detyra ish-kryeministrin e Pakistanit, Nawaz Sharif, për shkak të fshehjes së parave jashtë vendit.
Sharif ende është në krye të partisë politike dhe analistët i parashikojnë një rezultat të mirë zgjedhor, pavarësisht nga skandalet e korrupsionit dhe kritikat e tij të hapura ndaj ushtrisë mbi prezencën e madhe në skenën politike në Pakistan.