Hassan İsilow
09 Maj 2019•Përditësim: 09 Maj 2019
Partia qeverisëse në Afrikën e Jugut, Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), pritet të mbajë shumicën në Asamblenë Kombëtare pas arritjes në një epërsi të madhe në rezultatet paraprake të zgjedhjeve të gjashta të përgjithshme në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
ANC ka grumbulluar 55,41 për qind të votave ndërsa partia më e madhe opozitare, Aleanca Demokratike e Drejtësisë (DA), ka grumbulluar 25,36 për qind dhe partia radikale majtiste, Luftëtarët e Lirisë Ekonomike (EFF) 8,72 për qind.
DA dhe EFF duket se do të mbajnë pozicionet e tyre si parti e dytë dhe e tretë më e madhe opozitare në Asamblenë Kombëtare.
DA konfirmoi se ata planifikojnë të paraqesin ankesa kundër Komisionit Zgjedhor, duke pretenduar se ka patur lëshime që lejuan që disa njerëz të votonin më shumë se një herë.
Por, Komisioni i Pavarur Zgjedhor tha se votimet ishin të sigurta me masa të tjera të sigurisë që përfshinin skanimin e kartës së identitetit të votuesit.
Sipas Komisionit Zgjedhor, rreth 26.7 milionë afrikano-jugorë kishin të drejtë vote në zgjedhjet e djeshme. Në mbarë vendin ishin të hapura rreth 22 mijë vendvotime, ku votuesit hodhën votat e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e kuvendeve kombëtare dhe provinciale.
Një rekord prej 48 subjekteve politike morën pjesë në këto zgjedhje, por gara kryesore ishte midis tre subjekteve kryesore, Kongresit Kombëtar Afrikan në pushtet, Aleancës Demokratike dhe Luftëtarëve të Lirisë Ekonomike.
Çështjet kryesore që prekin afrikano-jugorët, ndër të tjera janë edhe papunësia, krimet dhe korrupsioni.