Ekip
02 korrik 2022•Përditësim: 04 korrik 2022
Fermerët që kultivojnë kafe në rajonin verior Kilimanjaro të Tanzanisë po mbajnë barrën e ndryshimeve klimatike, që po ndikon në të ardhurat dhe jetesën e tyre.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Damian Mtega, një menaxher për përmirësimin e kafesë në Institutin e Kërkimeve të Kafes në Tanzani, tha se rritja e temperaturave rreth malit Kilimanjaro dhe shpërthimet e insekteve kanë reduktuar prodhimin e kafesë deri në 75 për qind.
“Rritja e temperaturave ka sjellë thatësirë, rritje të sëmundjeve dhe ka vrarë insektet që polenizojnë bimët e kafesë”, tha Mtega.
Sipas statistikave të qeverisë, Tanzania është prodhuesi i tretë më i madh i kafesë në Afrikë, duke prodhuar mesatarisht 40 mijë tonë metrikë kafe në vit dhe kështu duke gjeneruar të ardhura prej 162 milionë dollarë në vit.
Siç thotë Mtega, lloji më fitimprurës i kafesë ‘Arabica’, që përbën deri në 70 për qind të prodhimit të Tanzanisë, është i prekshëm ndaj luhatjeve të temperaturës.
“Lloji ‘Arabica’ kërkon reshje të lehta të shiut dhe të paktën katër muaj mot të thatë që të rritet mirë”, shpjegon ai.
Zonat në lartësi më të ulëta, tha Mtega, nuk janë më të përshtatshme për kultivimin e kafesë dhe disa fermerë në Kilimanjaro janë detyruar të zhvendosen në tokë më të lartë, ku temperaturat mbeten mjaftueshëm të freskëta.
Vicky Massawe, e cila po kultivon kafe në fermën e saj prej 0,4 hektarësh në kodrat Machame në veri të rajonit Kilimanjaro, thekson se moti i keq ka ndërprerë ciklin e kultivimit.
“Po vuajmë shumë nga thatësira. Edhe shirat janë bërë të paparashikueshëm”, thotë ajo.
Massawe, e cila udhëheq edhe një grup lokal që përfaqëson qindra fermerë të vegjël të kafesë, thotë se klima e rajonit dikur ishte ideale për kultivimin e kafesë, me temperatura të qëndrueshme dhe reshje të mjaftueshme të shiut.
Por në dekadat e fundit, shton ajo, klima është bërë gjithnjë më armiqësore, pasi temperaturat janë në rritje dhe ka vonesa të reshjeve që ndikojnë negativisht tek kultivuesit e kafesë.
Kushtet ekstreme të motit si reshjet e dendura dhe periudhat e shpeshta të thatësirës po kërcënojnë jetesën e shumë fermerëve si Masssawe në rajon.
Fermerët fajësuan thatësirën për fasulet e dëmtuara, të përdredhura ose të vogla, ndërsa gjithashtu u ankuan se shiu i tepërt gjatë fazës kritike të lulëzimit ka dëmtuar lulet edhe para se fasulet të marrin formë.
“Kam humbur shpresat me këto të korra. Gjithë vëmendjen time e kam përqendruar te bananet dhe perimet për të fituar të ardhura shtesë, sepse kafeja nuk është fitimprurëse”, thotë Verdiana Temu, fermere e kafesë në Kilema.
Unioni i Kooperativës Vendase në Kilimanjaro (KNCU) tani po pajis fermerët me aftësi për t’u përshtatur me kushtet në ndryshim, duke ofruar fara që zhvillohen shpejt, duke monitoruar prodhimin dhe duke sugjeruar teknika të reja bujqësore.
Philemon Ndossi, kryetar i KNCU-së, tha se organizata është bashkuar me studiues për të ringjallur industrinë duke rritur dhe duke zhvilluar “fidanë të shpejtë” të kafesë.
“Ne kemi marrë mbi 60 mijë fidanë të kafesë cilësore të cilat ua shpërndajmë fermerëve”, tha Ndossi.
Kafeja ‘Arabica’ rritet në shpatet e malit Kilimanjaro, nën hijet e pemëve të bananeve.