Fatjon Cuka
30 Qershor 2017•Përditësim: 01 Korrik 2017
TIRANË (AA) - Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të vitit 2017 në Shqipëri vlerësohet me rritje prej 3,94 për qind, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Instituti i Statistikave i Republikës së Shqipërisë (INSTAT) ka prezantuar sot në një konferencë rezultatet për Produktin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2017.
Drejtoresha e INSTAT-it, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit të të dhënave, theksoi se kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ndërtimit, tregti-hotele-restorante dhe transporti. Më pas sipas saj vijojnë administrata publike, arsimi, shëndetësia, industria, energjia dhe uji, bujqësia, pyjet, peshkimi, etj.
Ndërkohë ndikim në këtë rritje kanë patur edhe pasuritë e paluajtshme.
Sipas INSTAT-it negativisht kanë ndikuar aktivitetet e shërbimeve dhe informacioni dhe komunikacioni. Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,94 për qind.