Fatih Erel
24 Prill 2020•Përditësim: 24 Prill 2020
Kampionati Evropian i Atletikës 2020 në Paris u anulua për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Vendimi për të anuluar u shkaktua nga pandemia e koronavirusit në vazhdim e sipër dhe rreziqet e tjera të ndërlidhen me situatën aktuale, të cilat janë larg nga të qenurit nën kontroll, si dhe nga ndalimi ekzistues i tubimeve masive në Francë", thuhet në një deklaratë të Asociacionit Evropian të Atletikës.
Kampionati Evropian i Atletikës këtë vit ishte paraparë të mbahej në stadiumin Charlety në Paris në datat 25-30 gusht.
Në lidhje me anulimin u prononcua edhe presidenti i përkohshëm i Asociacionit Evropian të Atletikës, Dobromir Karamarinov.
"Me keqardhje të madhe që njoftojmë anulimin e Kampionatit Evropian të Atletikës 2020 në Paris. Ne kemi shpresuar që në këto periudha të vështira t'u ofrojmë atletëve evropianë një ngjarje madhore të paraparë në fund të kësaj vere", tha ai.
"Në këto momente të pashembullta, parësore është shëndeti dhe siguria e të gjithë pjesëmarrësve të atletikës, përfshirë atletët, tifozët, zyrtarët, partnerët dhe të gjithë personat e lidhur me këtë sport", shtoi Karamarinov.
Një numër në rritje i ngjarjeve sportive janë pezulluar, anuluar ose ricaktuar, ndërsa bota lufton për të frenuar përhapjen e virusit.
Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës, dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në mbarë botën me Evropën dhe SHBA-të që janë rajonet më të goditura.
Sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA, rastet në të gjithë botën kanë tejkaluar shifrën 2.71 milionë me më shumë se 190 mijë vdekje dhe mbi 743 mijë të shëruar nga virusi.