Fatjon Cuka
24 Dhjetor 2015•Përditësim: 25 Dhjetor 2015
TIRANË (AA) – Është zhvilluar sot debati publik në lidhje me reformën në drejtësi ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Në këtë takim ka mbajtur një fjalim ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ylli Manjani, ndërsa kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe ekspertë vendas dhe të huaj të sistemit të drejtësisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Manjani ka deklaruar se diskutimet për reformën në drejtësi janë dhe do të jenë pjesë e axhendës së shtetit. Ai ka bërë thirrje publike për të gjithë trupën gjyqësore, për të gjithë trupën e prokurorëve që të mos shfokusohen për asnjë arsye në kryerjen e misionit të tyre kushtetues.
“Diskutimet për reformën në drejtësi janë, do të jenë pjesë e axhendës publike të shtetit, por mos harrojmë se janë po këto gjyqtarë, po këta prokurorë që arrestojnë, gjykojnë dhe dënojnë persona. Janë po këta avokatë që i shërbejnë komunitetit me profesionalizmin e tyre. Të mos shfokusohemi nga asnjë insinuatë apo deklaratë”- u shpreh Manjani në fjalën e tij.
Ministri i Drejtësia i Shqipërisë, ka deklaruar se duhet të jenë të shqetësuar për korrupsionin, por sipas tij edhe të shqetësuar që mos të futen të gjithë në një kategori.
Kujtojmë se qeveria shqiptare ka ndërmarrë reformën në drejtësi, ky synon reformimin e këtij sistemi, dhe në kuadër të kësaj deri tani janë mbajtur disa debate me karakter konsultues.