Bedrudin Brlyavac
17 Nëntor 2015•Përditësim: 17 Nëntor 2015
LONDËR (AA) – Kombëtaret e Anglisë dhe Francës në futboll sonte në ora 21:00 në Wembley zhvillojnë ndeshjen miqësore, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas sulmeve terroriste në Paris javën e kaluar, mediat britanike raportojnë se bëhet fjalë për “ndeshjen më të rëndësishme miqësore të të gjitha kohërave”.
Katër ditë pas pamjeve nga sulmet në Paris që kapluan botën, francezët vijnë në Londër, ndërsa duke marrë parasysh rrethanat në të cilat do të luhet kjo ndeshje, sytë e mbarë botës do të drejtohen në këtë ndeshje.
Federata Angleze e Futbollit lëshoi një kumtesë në të cilën ka udhëzime për të gjithë tifozët që sot janë në Wembley.
“Ejani sa më herët që është e mundur. Ju lutemi që të keni mirëkuptim për kontrollin e përforcuar gjatë hyrjes në satidum. Po ashtu, ju lutemi për bashkëpunim që me vete në stadium mos të merrni çanta të mëdha. I lusim tifozët e Anglisë që në heshtje dhe qetësi të dëgjojnë himnin francez. Vargjet e Marseljeza-s do të shfaqen në semafor. Marseljeza do të interpretohet pas himnit anglez. Pas himnit vijon një minutë heshtje”, theksohet në kumtesën.
Trajneri i Anglisë, Roy Hodgson përshëndeti vendimin për të zhvilluar ndeshjen, duke shtuar se bota e futbollit doemos duhet të jetë e bashkuar në luftën kundër krimit.
BBC-ja thekson se ndeshjen e sontme do ta ndjekë edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron.
Siç theksojnë mediat britanike, sonte në Wembley të gjithë 90 mijë spektatorët bashkërisht do të këndojnë Marseljeza-n për paqe në botë në nder të viktimave të sulmeve në Paris.
Ndeshja do të sigurohet nga një numër i madh i pjesëtarëve të policisë, të cilët do të jenë të armatosur.
Në sulmet terroriste në Paris të javës së kaluar u vranë 129 persona dhe mbi 350 të tjerë u plagosën.