Emre Aşıkçı
12 Prill 2023•Përditësim: 12 Prill 2023
Atletet e ikonës së basketbollit Michael Jordan nga finalet e NBA-së të vitit 1998 janë shitur për 2.2 milionë dollarë në ankand në New York, njoftoi sot Sotheby's, transmeton Anadolu.
"Një ditë tjetër historike në #SothebysNewYork! Atletet Air Jordan 13s të Michael Jordan të ndeshjes së dytë finale të NBA-së nga sezoni i famshëm 'The Last Dance' u shitën për 2.2 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri botëror për atletet më të shtrenjta që janë shitur ndonjëherë", shkroi në Twitter shtëpia e ankandit me bazë në Londër, duke iu referuar një dokumentari të vitit 2020 për sezonin e fundit të Jordan-it me Chicago Bulls.
Jordan veshi "Bred" Air Jordan 13s gjatë lojës së dytë të finaleve të NBA-së të vitit 1998 në rrugën drejt titullit të tij të gjashtë dhe të fundit të kampionatit të NBA-së.
Legjenda e basketbollit fitoi gjashtë tituj të NBA-së gjatë karrierës së tij me Bulls, edhe atë në 1991, 1992, 1993, 1996, 1997 dhe 1998.
Ai ishte gjithashtu gjashtë herë MVP (lojtari më i vlefshëm) i finaleve të NBA-së dhe 14 herë NBA All-Star.
Jordan u tërhoq nga basketbolli në vitin 2003.