Dejan Maksimoviç
09 Mars 2018•Përditësim: 10 Mars 2018
ROMË (AA) - Mediat e njohura italiane të sportit, në mesin e të cilave edhe "Corriere della Sera", pretendojnë se Gianluigi Buffon, portieri i Juventusit të Torinos, ka marrë vendimin për t'i dhënë fund karrierës profesionale në fund të sezonit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Më tej shtohet se njoftimi për përfundimin e karrierës së bujshme pritet të publikohet së shpejti, shumë më herët nga sa pritej.
Edhe pse Luigi Di Biagio, trajneri i përkohshëm i përfaqësueses të Italisë, kohët e fundit deklaroi se Buffon meritonte një lamtumirë më të mirë nga fanella e "Azzurëve" përkundër eliminimit nga Suedia në plejof për Botërorin, duket se portieri legjendar nuk do të pranojë ftesën për dy ndeshjet miqësore në mars.
Arsyeja pse Buffon do të refuzojë të vazhdojë të mbrojë për ekipin e Italisë është se nuk dëshiron të zërë vendin e kolegëve të rinj.
Buffon ende ka shansin që në mënyrë madhështore të përfundojë karrierën. Me Juventusin arriti deri në finale të Kupës së Italisë dhe në çerek finale të Ligës së Kampionëve, kurse në Seria A udhëheq betejën me Napolin për titullin e kampionit.
Portieri i mrekullueshëm 40-vjeçar karrierën e tij profesionale e filloi në vitin 1995 në Parma, nga i cili u transferua në Juventus në vitin 2001 me kompensim prej 52 milionë eurosh. Ai është ende portieri më i shtrenjtë i paguar në historinë e futbollit.
Por, "zonjës së vjetër" ky investim i është paguar, sepse Buffon për 17 sezone ka qenë i pazëvendësueshëm në klubin me më së shumit trofe në Itali. Ai ka thyer disa rekorde, duke u bërë portieri me më së shumti paraqitje në Serie A, ku deri më tani ka regjistruar 632 paraqitje, në listën e përhershme të të gjithë lojtarëve para tij është vetëm Paolo Maldini me 647 paraqitje.
Me 175 ndeshje, është njeriu që më së shumti ka veshur fanellën e përfaqësueses italiane, poashtu është një nga tre lojtarët që luajti në katër kampionate botërore. Njihet edhe si portieri që ka fituar shumë shpërblime individuale në Itali dhe Evropë, ndërsa me Juventusin dhe Parman ai fitoi gjithçka që mund të fitohet, madje edhe Serie B, por jo edhe Ligën e Kampionëve. Me Italinë ishte kampion bote në vitin 2006 në Gjermani dhe gjashtë vjet më vonë zuri vendin e dytë në Evropë.