Fatjon Cuka
25 Gusht 2020•Përditësim: 26 Gusht 2020
Ndeshja Tirana-Crvena Zvezda e vlefshme për raundin e dytë kualifikues në UEFA Ligën e Kampioneve ka përfunduar me rezultatin 0-1 në favor të ekipit nga Serbia, raporton Anadolu Agency (AA).
Dy ekipet janë përballur në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ku për ekipin nga Shqipëria nuk munguan rastet për të shënuar gol.
Ekipi mysafir ka kaluar në avantazh në minutën e 62-të me golin e Tomane, duke vulosur në këtë mënyrë edhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) ndeshja është luajtur pa praninë e tifozëve, ndërkohë ekipi bardheblu është mbështetur nga tifozët në Tiranë.

Qindra tifozë të ekipit të Tiranës janë mbledhur nëpër lokalet e kryeqytetit duke brohoritur në mbështetje të skuadrës së tyre.
Për garantimin e sigurisë dhe shmangien e incidenteve u angazhuan qindra forca policore, duke mos lejuar grumbullimin e tifozëve në sheshe, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.
Crvena Zvezda për herë të parë ka luajtur një miqësore në vitin 1945 me Tiranën, ndeshje e zhvilluar në kryeqytetin e Shqipërisë.