Dejan Maksimoviç
01 Qershor 2019•Përditësim: 01 Qershor 2019
Në Lanxeess Arena në Këln, sonte fillon turneu i dhjetë me radhë Final Four i Ligës së Kampionëve në hendboll, ku Vardari i Shkupit, në finalen e tretë radhazi do të kërkojë titullin e më të mirit në kontinentin e vjetër, raporton Anadolu Agency (AA).
Garat fillojnë sonte me duelin Veszprem- Viva Kielc, që do të jetë reprizë e finales legjendare nga viti 2016, dhe mes Barcelonës dhe Vardarit. Katër emrat e kualifikuar për turneun final, bëjnë të ditur se Evropa do të ketë një kampion të ri në hendboll, meqë mbrojtësi i titullit, Montpellier, u eliminua në fazën e grupeve.
Dueli i kampionit hungarez dhe atij polak është planifikuar për në ora 15:15, dhe do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme që Veszprem t’i hakmerret Viva Kielcas për disfatën e pabesueshme në finalen e lartpërmendur. Në atë ndeshje, Veszprem kishte nëntë gola epërsi në njëzet minuta para fundit, të cilat arriti t’i humbasë, dhe në fund edhe ndeshjen përmes gjuajtjes së penaltive.
Ndonëse Veszprem vlen favorit i butë në letër te “bookmakerët”, nuk duhet neglizhuar cilësia e Vive Kielca, sidomos nga fakti se në stol kanë trajnerin Talant Dujshebaev.
Ndërkohë Vardari i Shkupit, do të luaj Final Four-in e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve, dhe përsëri vlen për një autsajder. Kështu ishte edhe dy vjet më parë, megjithatë atëherë fitoi trofeun e parë të kampionit evropian, prandaj nuk duhet nënçmuar.
"Këtë vit erdhëm në Këln pa asnjë presion. Vitin e kaluar kur erdhëm si fitues, kishim një barrë më të madhe mbi supet tona dhe si rrjedhojë më shumë presion, prandaj këtë vit kam ardhur të kënaqem në një tjetër Final Four", tha kroati Ivan Karaçiq, mesfushor i Vardarit.
Trajneri i Barcelonës, Xavi Pascual, nuk deshi të pranojë epitetin e favoritit në ndeshjen me Vardarin.
“Kur mbërrini këtu, atëherë jeni pjesë e shoqërisë ku janë katër ekipet më të mira në botë, që është një ndjenjë e bukur. Kur mbërrini në Këln, nuk ka më favoritë”, tha ai.
-
Orari –
E shtunë: gjysmëfinalet: Veszprem – Vive Kielce dhe Barcelona – Vardar.
E diel: ndeshja për vendin e tretë 15:15, finalja në ora 18:00.