Ahmet Gürhan Kartal
03 Shtator 2020•Përditësim: 03 Shtator 2020
Futbollisti legjendar dhe tani komentatori sportiv anglez, Gary Lineker do të strehojë një refugjat në shtëpinë e tij, transmeton Anadolu Agency (AA)
Lineker, i cili ka qenë një figurë publike shumë kritike ndaj qeverisë britanike lidhur me trajtimin e situatës së refugjatëve, deklaroi për mediat lokale se organizata bamirëse e Mbretërisë së Bashkuar "Refugjatët në Shtëpi" do të bëjë një vizitë në shtëpinë e tij për vlerësim.
Duke folur për "The Daily Mirror", Lineker tha se të gjithë fëmijët e tij janë të rritur dhe ka shumë dhoma në shtëpinë e tij.
"Unë kam pasur kaq shumë lidhje me refugjatët gjatë dy viteve të fundit", tha ai për tabloidin.
"Kam takuar shumë refugjatë të rinj përmes skemave të futbollit dhe ata janë fëmijë me të vërtetë të bukur dhe ata vlerësojnë çdo ndihmë që mund t'u ofrohet", tha ai.
Lineker tha se "Jam i sigurt që do të jetë mirë. Kam kohë që kam menduar të bëj diçka të tillë".
"Fëmijët e mi janë rritur të gjithë, kështu që unë kam shumë hapësirë, kështu që nëse mund të ndihmoj përkohësisht, atëherë jam më se i lumtur ta bëj këtë. Pse jo?", tha ai.
Raportet mbi vendimin e Lineker-it erdhën në një kohë kur numri i azilkërkuesve që kalojnë Kanalin Anglez është rritur në mënyrë dramatike.
Sipas mediave lokale pothuajse 500 persona kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën.
Autoritetet britanike dhe franceze kanë zhvilluar bisedime për të ndaluar udhëtimin e rrezikshëm nga brigjet franceze në Britani.
Mbretëria e Bashkuar ka sinjalizuar që të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj trafikantëve të qenieve njerëzore të cilët u marrin migrantëve deri në 10 mijë funta (13.300 dollarë) për t'i sjellë ata përtej kufirit.