Alma Çekovic
27 Nëntor 2016•Përditësim: 28 Nëntor 2016
LONDËR (AA) - Kampioni aktual i Anglisë, Leicester City në 13 xhirot e para të Premier ligës ka mbledhur vetëm 13 pikë duke shënuar kështu hyrjen më të dobët në sezon të ndonjë mbrojtësi të titullit kampion në 54 vitet e fundit të futbollit elitar anglez, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktualisht "Dhelprat" janë vetëm dy pikë larg nga zona e rrezikuar që dërgon në Championship (liga e dytë) pasi kanë arritur të fitojnë në vetëm tri ndeshje dhe duke pësuar disfatë në gjashtë të tjera.
Në historinë e garës elitare të futbollit anglez vetëm ekipi i Ipswich Town në sezonin 1962-63 ka arkëtuar më pak pikë, 11, nëse llogarisim tre pikë për një fitore, shkruan portali "Goal".
Ndërkohë, klubi të cilin e drejton Claudio Ranieri ka arritur një sukses të madh në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ku në paraqitjen e parë në fazën e grupeve ka siguruar vend në të tetën e finales të garës më prestigjioze të futbollit evropian.