Fatjon Cuka
12 Korrik 2019•Përditësim: 16 Korrik 2019
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ka lënë në fuqi vendimin e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) për dënimin e Klubit të Futbollit Skënderbeu me 10 vite përjashtim nga kupat e UEFA-s si dhe 1 milion euro gjobë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar të CAS-it thuhet se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka hedhur poshtë ankesën e paraqitur nga klubi shqiptar i futbollit Skënderbeu.
Më tej në njoftim theksohet se "Klubi Skënderbeu ishte përgjegjës për aktivitetet e trukimit të ndeshjeve dhe se kanë arritur në përfundimin se sanksionet e imponuara në vendimin e Komisiont të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s ishin në mënyrë proporcionale dhe të justifikuar".
Kujtojmë se në mars të vitit 2018 Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) vendosi për përjashtimin e Klubit të Futbollit Skënderbeu nga kompeticionet e UEFA-s për një periudhë 10 vjeçare dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro nën akuzat për trukim.