Hüseyin Burak Demirer
18 Qershor 2021•Përditësim: 18 Qershor 2021
Tenistja japoneze Naomi Osaka ka njoftuar se nuk do të performojë në turneun e ardhshëm Grand Slam, në Wimbledon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pasi kaloi në raundin e dytë, 23-vjeçarja Osaka nuk u paraqit në konferencën për shtyp dhe u tërhoq nga Roland Garros për shkak të problemeve psikologjike, ndërsa sot ekipi i saj profesional njoftoi se do të humbasë Grand Slam-in e tretë të sezonit, i cili luhet në fushat me bar në Wimbledon.
Osaka ka fituar katër turne Grand Slam në karrierën e saj dhe aktualisht është e dyta në listën e WTA-së.
"Naomi Osaka këtë vit nuk do të luajë në Wimbledon. Këtë kohë do ta kalojë me familjen dhe miqtë. Do të përgatitet për Lojërat Olimpike në Tokio, të cilat tashmë i pret me padurim”, tha ekipi i Osaka-s.
Turneu i Wimbledon-it fillon më 28 qershor, ndërsa Lojërat Olimpike të Tokios më 23 korrik.