Can Erözden
07 Qershor 2020•Përditësim: 08 Qershor 2020
Trajneri i skuadrës të NBA-së San Antonio Spurs, Gregg Popovich, reagoi ndaj vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Minneapolis, duke thënë se ndihet i turpëruar për këtë ngjarje si një njeri i bardhë. Ai nënvizoi se të gjithë të bardhët duhet të ngrenë zërin e tyre në mënyrë që diçka e tillë të mos ndodhë përsëri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trajneri i Spurs, Gregg Popovich, në profilin e tij në Twitter publikoi një videomesazh të shkurtër ku komentoi rastin e vrasjes së George Floyd, i cili humbi jetën si pasojë e dhunës policore.
"Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga kjo tragjedi. Shikoni në video fytyrën e policit që e bëri këtë. Një person i bardhë që mendon se mund t'i mësojë dikujt diçka duke ia vendosur gjurin në fyt. Ai beson se ka të drejtë dhe se kjo është detyra e tij. Si njeri i bardhë më vjen turp që ka ndodhur diçka e tillë. Kjo nuk është gjë tjetër përveç linçim i zezakëve", tha Popovich.
Ai më tej deklaroi se qytetarët e bardhë duhet të ngrenë zërin kundër padrejtësisë, në mënyrë që të zbulojnë faktet.
"Të gjithë duhet ta bëjmë këtë, pavarësisht nga pasojat. Zezakët në këtë vend kanë bartur të njëjtën dhimbje në shpatullat e tyre për 400 vjet. Me durimin dhe përpjekjet e zezakëve, ky vend ka lulëzuar", tha Popovich.
Ai shtroi pyetjen se çfarë do të ndodhte më tej, nëse ata do të prisnin që një njeriu tjetër me ngjyrë t'i vendosin përsëri gjurin në fyt. Ai nënvizoi se kjo nuk duhet të lejohet.
"Vendi ynë ka probleme të mëdha dhe baza e këtyre problemeve është racizmi", përfundoi Popovich.