Dejan Maksimoviç
23 Dhjetor 2016•Përditësim: 24 Dhjetor 2016
BARCELONË (AA) - Dy nga tre yjet e mëdha të Barcelonës Luis Suarez dhe Neymar kanë vazhduar kontratat e tyre me klubin. Asi brazilian në tetor vazhdoi kontratën me Barçën deri në verën e vitit 2021, ndërsa publikisht tha se së shpejti një gjë të tillë do ta bëjë edhe Lionel Messi, ylli i tretë dhe më i madh i klubit katalunjas, raporton Anadolu Agency (AA).
"Shpresoj që Messi të qëndrojë me ne në Barcelonë. Pres që së shpejti ai të nënshkruajë kontratën e re", tha Neymar për mediat braziliane.
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu kohë më parë tha se bisedimet me Messi-n sapo kanë nisur, dhe se presin që në mënyrë të suksesshme ti përfundojnë në interes të ndërsjellë.
Barcelona pas 16 ndeshjeve të luajtura në La Liga është në pozitën e dytë me tre pikë më pak se rivali i saj Real Madridi, i cili ka një ndeshje më pak.
"Jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi gjatë këtij sezoni, pavarësisht që kam shënuar pak gola. Edhe kjo do të vijë natyrshëm. Jam shumë i kënaqur që kam asistuar, sepse dëshiroj ta ndihmoj klubin në mënyrën më të mirë të mundshme", theksoi lojtari brazilian.
Barcelona sezonin në La Liga e nis më 8 janar kur do të jetë mysafir tek Villarreal. Neymar në 13 ndeshje këtë sezon ka shënuar 4 gola.