Alma Çekovic
21 Korrik 2019•Përditësim: 24 Korrik 2019
Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain (PSG), Leonardo Arau, deklaroi se deri më tani nuk ka pasur ofertë konkrete nga Barcelona për lojtarin e kombëtares së Brazilit, Neymar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Leonardo pas ndeshjes miqësore mes PSG-së dhe Nuremburg-ut, që përfundoi me 1:1, deklaroi se gjatë ditëve të kaluara asgjë nuk ka ndryshuar lidhur me transferimin e yllit brazilian.
"Asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk ka ofertë konkrete për Neymar. Ai ka kontratë me ne dhe ende është lojtari ynë. Situata është e njëjtë tashmë dhjetë ditë", tha Leonardo.
Trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel, ka thënë se kjo është një çështje që ndërmjet veti e zgjidhin klubi dhe lojtari.
"Nesër, për herë të parë, do të stërvitet me ekipin, kështu që ka punuar individualisht", tha Tuchel.
"Sky"-i gjerman njoftoi të enjten se Barcelona i ofroi PSG dy lojtarë plus 100 milionë euro për Neymar.