Elvır Hodzıc
14 Korrik 2023•Përditësim: 17 Korrik 2023
Stadiumi kult i Barcelonës "Camp Nou" u mbulua nga rrënojat gjatë punëve të ndërtimit në projektin e restaurimit të tij ndërsa fansat e shohin me trishtim shembjen e tempullit të futbollit me të cilin kanë shumë kujtime, raporton Anadolu.
Reporterët filmuan nga ajri fazat e punimeve të rrënimit të stadiumit më të madh të Evropës, i cili kishte një kapacitet afër 100 mijë ulëse. Videot shkaktuan reagime të shumta nga fansat në rrjetet sociale të cilët "vajtojnë" për zhdukjen e godinës impozante të futbollit dhe simbolit të qytetit.
Projekti i rindërtimit të stadiuimit "Camp Nou" kap vlerën 1.5 miliard euro dhe do të përfshijë shtimin e çatisë, rregullimin e të gjitha tribunave, semaforët e rinj, qendrën e re të telekomunikacionit, ndërtimin e sallës së re...
Kapaciteti i stadiumit do të rritet në 105 mijë vende, ndërsa stadiumi do të ketë edhe një emër të ri "Spotify Camp Nou", si pjesë e sponsorizimit të tyre me platformën e transmetimit që do t'i sjellë Barcelonës rreth 250 milionë euro.
Sezonin e ardhshëm katalonjasit do të luajnë në stadiumin olimpik "Montjuic" ndërsa në sezonin 2024/2025 do të rikthehen në stadiumin e tyre, i cili do të jetë i hapur me 50 për qind të kapacitetit. Hapja përfundimtare pritet në vitin 2026.
"Camp Nou" ka qenë shtëpia e Barcelonës që nga hapja zyrtare e saj në vitin 1957, kur zëvendësoi ish-stadiumin "Les Corts", i cili kishte kapacitet prej 48 mijë vendesh. Fillimisht, emri zyrtar ishte "Estadi del FC Barcelona", por së shpejti mori nofkën "Camp Nou" (që në përkthim do të thotë fushë e re). Ky emër u bë zyrtar në vitin 2000 pasi u votua nga anëtarët e klubit.
Kur u hap për herë të parë në vitin 1957, pranoi 93.053 spektatorë. Kapaciteti u rrit në 120 mijë për Kupën e Botës 1982. Megjithatë, pasi u hoqën vendet e qëndrimit në këmbë, kapaciteti u reduktua në 99.354.