Selcuk Bugra Gokalp
17 Shkurt 2023•Përditësim: 20 Shkurt 2023
Prokuroria e Barcelonës njoftoi se do të nisë hetime ndaj klubit të futbollit të Barcelonës dhe komitetit spanjoll të arbitrave lidhur me pretendimet për pagesat prej 1.4 milionë eurosh nga Barça për kompaninë në pronësi të nënpresidentit të komitetit të arbitrave, njoftoi Organi i futbollit të Spanjës, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF), transmeton Anadolu.
Siç thuhet, klubi i ka bërë pagesat midis viteve 2016 dhe 2018 për kompaninë e Jose Maria Enriquez Negreira, i cili atëherë ishte nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA) të RFEF.
CTA është organi përgjegjës për përcaktimin e gjyqtarëve dhe ndihmësve që drejtojnë ndeshjet javore në Spanjë.
Barcelona në një deklaratë mohoi çdo shkelje pasi pretendimet u shfaqën para ndeshjes kundër Manchester Unitedit.
Barça tha se ishte në dijeni të hetimit dhe se kishte angazhuar një konsulent të jashtëm, i cili u kishte dorëzuar "raportin teknik në lidhje me arbitrimin profesional" në mënyrë që të plotësonte informacionin e kërkuar nga stafi i ekipit të parë dhe të dytë.
Klubi tha se kjo dihet se është një praktikë e zakonshme në mesin e klubeve profesionale të futbollit.
Barcelona premtoi të ndërmarrë veprime ligjore kundër atyre që përpiqen të dëmtojnë imazhin e klubit.