Mümin Altaş
12 prill 2017•Përditësim: 16 prill 2017
ANKARA (AA) - Anadolu Agency (AA) ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të monitoruar referendumin mbi ndryshimet kushtetuese në Turqi, i cili do të mbahet të dielën, më 16 prill.
Gazetarët AA-së do të raportojnë nga terreni më 16 prill, ndërsa AA përmes një transmetimi të veçantë online, "Referendumi më 16 prill 2017", do të ndajë informacione të shpejta dhe të sigurta nga terreni për opinionin.
"Rezultatet do t'i ndajmë përmes internetit dhe rrjetit satelitor"
Drejtori i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit të AA-së, Şenol Kazancı, tha se pas referendumit të 16 prillit, AA në tri vitet e fundit do të ketë mbuluar pesë procese zgjedhore.
Duke theksuar se AA është shndërruar në një institucion me përvojë për sa i përket mbledhjes së rezultateve zgjedhore dhe ndarjes së tyre me abonentët dhe opinionin, Kazancı tha se në kuadër të përgatitjeve për monitorimin e referendumit në Turqi, AA ka përgatitur një sistem për monitorimin e rezultateve, shpërndarjen e informacione për abonentët, si dhe një faqe falas të internetit dhe ekranin televiziv Secim TV për kanalet lokale.
Kazancı theksoi se rezultatet e votimit në referendum për abonentët do të rifreskohen në intervale prej dy minutash përmes internetit dhe rrjetit satelitor. Ai tha se po ashtu kanë krijuar infrastrukturë rezerve, duke shtuar se abonentët mund t'i sigurojnë të dhënat përmes satelitit në rast se përjetojnë probleme në internet.
Rezultatet publikohen në 11 gjuhë
Kazancı njoftoi se për shpërndarjen e rezultateve zgjedhore me opinionin publik kanë përgatitur faqen e internetit secim.aa.com.tr, duke bërë me dije se abonentët mund t'i sigurojnë rezultatet aty për aty dhe falas.
"Kur të fillojë ardhja e rezultateve të referendumit, ne do të fillojmë me transferimin e rezultateve deri te abonentët tanë. Pasi Komiteti i Lartë Zgjedhor (YSK) të heqë ndalimin e publikimit, ne do t'ju informojmë nëpërmjet faqes së internetit www.secim.aa.com.tr. Rezultatet do të publikohen në 11 gjuhë", tha Kazancı.